Jakup Krasniqi flet për momentin kur Kurti i kishte rrëmbyer mikrofonin në Kuvend

Lajme

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka folur për punën si drejtues i parlamentit. Ai thotë se detyrën e ka kryer me përgjegjësi.

“Puna e kryetarit të parlamentit te ne është bukur e ndërlikuar sepse ke të bësh me përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve të Kosovës dhe secili prej tyre në një formë ose një tjetër e ka vullnetin, e ka mandatin e marrë nga qytetarët”, tha Krasniqi.

“Nuk me mungon ajo detyrë, jam munduar që të jem atëkohë korrekt me deputetët dhe qytetarët”, shtoi Krasniqi në emisionin “Natën me Fatmir Spahiun” në RTK.

Thotë se për mandatin e dytë në krye të legjislativit nuk mori vetëm votat e VV’së.

“Vetëvendosje ka depërtuar në skenën politike pak me një agresivitet”, tha Krasniqi.

Ai kujtoi momentin kur deputeti Albin Kurti i kishte rrëmbyer mikrofonin.

“Unë e konsideroj edhe atë në kuadër të demokracisë. Kanë ndodhur në parlamente tjera edhe eksese më të mëdha”, thotë Krasniqi.

Por sipas tij, kërkesa e deputetëve të Vetëvendosjes nuk ishte e drejtë.

“Nuk kishin të drejtë. Ata kërkonin që unë me marrë një vendim në emër të Kuvendit por ajo nuk është e drejtë e kryetarit të Kuvendit, as dje as sot e as nesër”, sqaroi Krasniqi.

Më 2013 kur në atë kohë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi kishte ftuar deputetët që të votonin projektligjin për marrëveshjen Kosovë-Serbi, lideri i VV’së, Albin Kurti, i kishte rrëmbyer mikrofonin.