Kosova U-21 me mungesa kundër Andorrës, por me synim për rikthim te fitorja

Sport

Kombëtarja U21 e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore për ndeshjen e nesërme kundër Andorrës në kuadër të Grupit 3 për kualifikimet e Kampionatit evropian të grupmoshës nën 21-vjeç.

Dardanët e rinj në këtë ndeshje vijnë pas humbjes nga Austria, në të cilën patën paraqitje shumë të mirë, por që u ndëshkuan me një gol të minutave të fundit.

Situata me pandeminë ka ndikuar edhe në kampin e Kombëtares U21, ngase katër futbollistë dhe një anëtar i stafit kanë rezultuar pozitiv në testin për Covid-19, me ç’rast janë izoluar nga pjesa tjetër e ekipit dhe i janë shtruar sërish ritestimit.

Në stërvitjen e fundit ka mbizotëruar atmosferë e mirë dhe entuziazëm për rikthim te fitorja, gjë e cila i duhet tani për momentin kësaj gjenerate për ngritje të moralit dhe arritje të sukseseve të reja.

Ndeshja Kosovë – Andorrë zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 19:00.

Deklaruan pas stërvitjes:

Fuad Rahimi: Ne jemi të gatshëm për ndeshjen me Andorrën dhe do të japim 100 përqindshin tonë. E dimë që Andorra është ekip që duhet respektuar, ngase në ndeshjen e fundit ka barazuar me Anglinë (3:3), por ne presim fitore dhe secili prej nesh do të luftojë fortë në fushën e gjelbër për t’ia arritur këtij qëllimi. Normalisht, në fund mbetet të shohim se çfarë do të tregojë loja, por jemi optimist se kësaj radhe do të krijojmë më shumë raste dhe do t’i shfrytëzojmë ato.

Kreshnik Krasniqi: Sigurisht se i gjithë ekipi do të luftojë deri në minutën e fundit për të marrë rezultatin që duam. Synimi është që ta mbizotërojmë lojën dhe të japim gola. Besoj që kemi mësuar nga gabimet e shfaqura në ndeshjen e kaluar dhe do të bëjmë lojë edhe më të mirë. E njohim Andorrën, janë ekip i fortë, por neve na mbetet që të jemi sa më kreativ në lojë dhe mendoj se kemi lojtarë kualitativ që dinë të krijojnë raste dhe t’i konvertojnë ato në gola. Gjithsesi, Andorra është një shtet i vogël, por kanë ekip me temperament luftarak. Në ndeshjen e parë kundër tyre e kemi dominuar lojën dhe besoj se njëjtë do të ndodhë edhe tani. /Lajmi.net